Reforma në drejtësi, Meta falenderohet nga kryetari i Komisionit të Ligjeve në Kongresin Amerikan

08/08/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori një mesazh falënderimi nga kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, Pete Sessions për miratimin e reformës në drejtësi.

Sessions shprehu vlerësimet e tij për Kuvendin e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për miratimin me unanimitet të Reformës në Drejtësi dhe përshëndet përpjekjet e Metës për të punuar me të gjitha palët në Kuvendin e Shqipërisë, përfshirë dhe opozitën, për përmbylljen me sukses të kësaj reforme historike.

Kryetari Sessions thekson se një sistem drejtësie i drejtë dhe i paanshëm, i mbështetur mbi një proces të pavarur dhe profesional Vetting-u, si dhe një sistem i ri i praktikave dhe procedurave të zbatimit të ligjit janë një shenjë e angazhimit të Shqipërisë për reforma dhe stabilitet. Kryetari Sessions shprehet më tej se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e modeluar sipas standardeve të Byrosë Federale të Hetimit në SHBA është edhe një moment krenarie personale, pasi babai i tij ka shërbyer si drejtor i FBI-së nën administratat e Presidentëve Regan dhe Bush i vjetri.

Si vende anëtare të NATO-s, vijon Kryetari Sessions, SHBA dhe Shqipëria punojnë së bashku në shumë çështje kritike të sigurisë dhe se Shqipëria kontribuon si një partner strategjik në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Vendet tona ndajnë qëllime të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik dhe angazhimi ynë i përbashkët është çimentuar nga marrëdhëniet mes popujve tanë, çka do të sigurojë një partneritet edhe më të madh në vitet që do të vijnë.

Top Channel