Siri, rebelët që thyen rrethimin në Aleppo bombardohen nga ajri

08/08/2016 00:00

Luftëtarë rebelë në Aleppo të Sirisë, të cilët pretenduan se kishin arritur disa fitore kundrejt forcave qeveritare, janë bombarduar nga ajri pikërisht nga ushtria besnike e presidentit Assad. Qeveria siriane publikoi video që shfaqin avionët e saj duke bombarduar zonat në Jugperëndim të qytetit.

Të shtunën, në atë që konsiderohej si një arritje e madhe territoriale, rebelët njoftuan se kishin thyer më në fund rrethimin e forcave proqeveritare, duke mundësuar kështu lidhjen me zonat e kryengritësve në Sirinë perëndimore.

Rrethimi i forcave proqeveritare nisi muajin e kaluar, ndërsa rebelët kanë luftuar përgjatë të gjithë kësaj kohe me synimin për të gjetur një rrugëdalje jashtë qytetit.

Video të shumta treguan civilë sirianë duke festuar nëpër rrugë, edhe pse mediat proqeveritare mohojnë që rrethimi të jetë thyer prej rebelëve.

Megjithatë, luftimet e ashpra të kohëve të fundit nënkuptojnë se ende nuk është krijuar një kalim i sigurtë për rezidentët, të paktën siç deklaron Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë mbikëqyrëse e luftës civile në Siri, me seli në Londër.

Rreth 300 mijë civilë jetojnë në zonat e rrethuara, por duket se asnjë prej palëve ndërluftuese nuk është e shqetësuar për fatin e tyre. Agjencia e lajmeve “AFP” tha se sulme të ashpra ajrore janë ndërmarrë ndaj rebelëve në zonat e kontrolluara prej tyre në Aleppo, në atë që duket si përpjekje e qeverisë për të treguar se nuk është mposhtuar.

Akvitistë të opozitës thanë se në sulme morën pjesë edhe avionë rusë, por kjo nuk është komentuar nga Moska. Rebelët thonë se do të dyfishojnë numrin e luftëtarëve dhe do të nisin një ofensivë të re për të marrë të gjithë qytetin.

Aleppo ishte dikur kryeqyteti tregtar i Sirisë, ndërsa pas më shumë se 5 viteve luftë civile është shndërruar në një grumbull gërmadhash.

Top Channel