Tajlandë, ushtria ligjëron pushtetin e saj përmes referendumit

08/08/2016 00:00

Tajlandezët miratuan Kushtetutën e re të vendit, duke i dhënë edhe më shumë fuqi ushtrisë. Ishte pikërisht kjo e fundit që e organizoi referendumin për Kushtetutën e re, pasi mori pushtetin përmes një grushti shteti në vitin 2014 dhe pasi shpalli të pavlefshme Kushtetutën e vjetër.

Sipas Komisionit Zgjedhor të Tajlandës, me 95% të votave të numëruara, 61.4% e njerëzve kanë votuar në favor të Kushtetutës së re dhe vetëm 38.6 votuan kundër saj. Megjithëse ushtria pretendon se Kushtetuta e re i hap rrugën zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2017 dhe rikthen demokracinë në vend, kritikët e saj janë të shumtë dhe jo vetëm brenda Tajlandës.

Në referendum, veç Kushtetutës së re, tajlandezët pranuan edhe propozimin tjetër të ushtrisë, që Senati të votojë për kryeministrin bashkë me Dhomën e Përfaqësuesve. Senati është një trup që Kushtetuta e re thotë se emërohet nga ushtria dhe nuk zgjidhet, diçka që mund të sjellë në të ardhmen një kryeministër të emëruar e jo të zgjedhur nga populli.

Një pjesë e votuesve e konsiderojnë miratimin e Kushtetutës së re si ligjërimin e sundimit ushtarak dhe jo hap drejt demokracisë. Analistët mendojnë se Kushtetuta e re e lejon ushtrinë që të mbajë pushtetin në Tajlandë pa nevojën e grushteve të shtetit, të cilat që prej vitit 1932 kanë qenë 12 në këtë vend.

Ekspërtët mendojnë se Kushtetuta e re ligjëron pushtetin e ushtrisë dhe elitave tradicionale, duke e çuar Tajlandën drejt gjysmëautoritarizmit të udhëhequr nga ushtria. Analistët shprehen gjithashtu se numri i madh i njerëzve që votuan për Kushtetutën tregon se shumë prej tyre ishin të painformuar për të, pasojë e drejtpërdrejtë e ndalimit të fushatave nga ushtria.

Por faktor tjetër i rëndësishëm konsiderohet rendi, që mbizotëron në vend prej 2004-s dhe që është vendosur me grusht të hekurt nga ushtria, diçka që duket qartë se tajlandezët e kanë vlerësuar.

Top Channel