Perandori i Japonisë sugjeron abdikimin, por ligjet s’e lejojnë

08/08/2016 00:00

Perandori i Japonisë Akihito deklaroi se mosha e thyer dhe shëndeti në përkeqësim po ia vështirësojnë atij kryerjen e rolit. 82-vjeçari, që është shumë i nderuar në Japoni, i bëri këto komente në fjalimin e tij të dytë televiziv për publikun në histori.

Ai nuk përmendi fjalën “abdikim”, apo lënie e fronit, por sugjeroi se ka dëshiron që të lërë stafetën. Kryeministri japonez, Shinzo Abe tha se qeveria do të konsiderojë seriozisht fjalët e perandorit dhe do të diskutojë se çfarë mund të bëhet.

Në fjalimin e regjistruar prej 10 minutash, perandori Akihito tha se shpreson që detyrat e perandorit si një simbol i shtetit të vazhdojnë pa pengesa. Akihito mban fronin e Japonisë që prej vitit 1989, pas vdekjes së babait të tij Hirohito. Nëse ai do të abdikojë, do të jetë i pari që e bën këtë që prej 1817-s, kur abdikoi perandori Kokaku.

Djali më i madh i Akihitos, princi 56-vjeçar Naruhito është i pari në radhë për të marrë fronin. Gjithsesi, problemi nuk qëndron te pasuesi, por te ligji japonez që nuk parashikon abdikimin e fronit. Në ligjet aktuale, ky term nuk përmendet dhe duhet ndryshuar legjislacioni aktual, që perandori të lërë fronin.

Ndryshimet duhen miratuar nga Parlamenti. Kjo nuk është e lehtë, pasi Kushtetuta ia ndalon perandorit që të bëjë deklarata politike dhe dëshira e tij për të abdikuar mund të konsiderohet si e tillë. Analistët thonë se kjo është mbase arsyeja e fjalimit të tij mjaft diplomatik, që i dërgon një mesazh të qartë klasës politike.

Top Channel