Maqedonia, në zi për 21 viktimat e përmbytjeve. Ende 6 të zhdukur

08/08/2016 00:00

Maqedonia mban zi për viktimat e stuhisë vdekjeprurëse që goditi kryeqytetin e vendit një natë më parë, duke lënë të paktën 21 persona të vdekur dhe mbi 70 të tjerë të plagosur përreth Shkupit.

Qeveria maqedonase e ka shpallur të hënën ditë zie kombëtare. Flamujt janë ulur në gjysmështizë dhe të gjitha ngjarjet sportive janë anuluar.

Autoritetet thonë se policia dhe ekipet ushtarake janë ende në kërkim të rajoneve veriore të Shkupit, për të gjetur nëse munden trupat e 6 personave që rezultojnë ende të zhdukur, pas përmbytjeve të shkaktuara mesnatën e së shtunës dhe gjatë gjithë paradites së të dielës.

Të dielën, qeveria shpalli edhe gjendjen dyjavore të emergjencës në zonat e goditura më keq nga përmbytjet.

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov vizitoi vendin e prekur nga përmbytjet, duke thënë se “një fatkeqësi e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë” në Shkup.

Bashkimi Europian 28-anëtarësh (ende me Britaninë) ka ofruar ndihma për Maqedoninë, sikurse edhe fqinjët e saj: Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bullgaria.

Top Channel