“Rio 2016”, Majlinda Kelmendi mund në gjysmëfinale xhudisten japoneze

07/08/2016 00:00

Kampionia e botës në Xhudo, Majlinda Kelmendi është shumë pranë medaljes së artë në Xhudo në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, pasi është kualifikuar për në finalen e këtij kompeticioni.

Majlinda mposhti në gjysmëfinale xhudisten japoneze, Misato Nakamura duke i siguruar Kosovës dhe vetes medaljen e parë të argjendtë në një Olimpiadë, edhe sikur të humbasë në finale.

Majlinda tani do të kërkojë medaljen e artë, ku në finale do të përballet me italianen Odette Giuffrida, e cila mposhti në gjysmëfinale kinezen Ma Yingnan.

Sytë e gjithë opinionit sportiv në Shqipëri dhe Kosovë janë  drejtuar sot në Rio tek  Majlinda Kelmendi, si sportistja me shanset më të mëdha për të marrë medalje të artë në Rio de Zhaneiro.
 
Xhudistja e cila provon Lojërat në flamurin e Kosovës  ka mposhtur zviceranen Evelyne Tschopp pas vetëm 25 sekondash, duke realizuar fitoren e saj të parë në karrierë në një Olimpiadë. Majlinda tejkaloi rivalen me një manovër klasi që i dha suksesin me ‘ippon’.

Fati i vendosi Kelmendit në çerekfinale me Kristan Lezhontil, xhudiste që kishte mundur kosovaren 4 vjet më parë në Londër. Majlinda sërish hasi në probleme të mëdha ndaj kundërshtares me ngjyrë, por përfitoi nga penalitetet në dëm të Lezhontil për të kaluar më tej.

Top Channel