Ilustrime komike; Personazhet e përrallave dhe varësia nga interneti

07/08/2016 00:00

Ilustrime komike, te cilat nxisin reflektim, por edhe revolte. Pjesëza mendimesh të shkëputura ne fragmente, Jolin Matraku i bën bashkë në ekspozitën e saj personale në një teknikë pak të përdorur, atë të artit grafik.

“Është teknikë që s’para është përdorur në Shqipëri, siç janë ilustrimet dixhitale. Përpiqem të marrë një metaforë, pasi mesa kam vënë re, kjo ka edhe impaktin më të madh te publiku dhe ka pëlqimin më të madh. Është e rëndësishme që gjithkush të ketë përjetimin e personal, por për mua është e rëndësishme edhe që të mos humbim nga mesazhet e mëdha që dua të përcjell” shprehet Jolin Matraku.

Mesazhe të forta, si homofobia, diskriminimi gjinor janë ato çka Jolin Matraku dëshiron të përcjellë përmes ilustrimeve, ndërsa tenton të luftojë stereotipet e krijuara që në vegjëli.

“Më shqetëson diskriminimi gjinor, kryesisht pasi fillon që në një moshë fare të vogël. E kam përcjellë edhe në tablo përmes shembujve që na janë dhënë që në fëmijëri se çfarë supozohet të bëjë gjinia jonë. Përshembull, pjesa e Borëbardhës bën fjalë për faktin që vajzat duhet të gatuanin dhe të bënin punët e shtëpisë dhe nuk mund të shpëtonin vetëm, por duhet të prisnin Princin e Kaltër. Kjo është ajo që unë dua të përçoj, dua të krijoj një bazë të re tek fëmijët fillimisht. Duke edukuar fëmijët besoj se edhe diskriminimi gjinor do jetë edhe më i lehtë për t’u zhdukur në të ardhmen”, shton Matraku.

Varësia ndaj teknologjisë, zhytja në botën virtuale duke harruar të jetojmë të  përditshmen artisja e re e sjell në tablotë e saj, duke apeluar si një përgjegjësi ndaj shoqërisë.

Top Channel