Ëndrra europiane, refugjatja nga Siria fiton garën 100 metra në not

07/08/2016 00:00

Një vit më parë, Yursa Mardini luftoi me jetën duke kaluar detin Mesdhe me not, si refugjate libaneze për të mbërritur në Europë, ndërsa tani ajo arriti të prekte nga afër, si protagoniste, magjinë e Lojërave Olimpike “Rio 2016”.

Notarja siriane fitoi garën e 100 metërshit në stilin flutur, në pishinën “Aquatics”. Edhe pse triumfuese, fatkeqësisht koha e realizimit të garës nuk i dha asaj rekordin për t’u kualifikuar në gjysmëfinale. Por, Mardini i la pas spektatorëve të “Rio 2016” një histori prekëse, që përloti thuajse të gjithë botën.

Vitin e shkuar, 18-vjeçarja së bashku me motrën e saj u nisën nga Siria me një varkë të projektuar për 6 persona, por që në fakt në të udhëtonin 20, udhëtim ky që për mijëra refugjatë është kthyer në një rutinë të zakonshme, edhe pse pas saj fshihej një risk shumë i madh për jetën.

Mbingarkesa në kuvertën e anijes bëri që motori i saj të prishej. Mardinit, së bashku me 19 refugjatë të tjerë iu desh të notonin thuajse 3 orë e gjysmë deri në Lesbos. Por jo të gjithë kishin aftësitë e saj për të notuar, ndaj iu desh të ndihmonte edhe bashkudhëtarët, për të arritur në brigjet e ishullit grek.

Yursa Mardini fitoi azil në Berlin, ku talenti i saj nuk mund të mos mbetej pa u vënë re. Pasi arriti në Gjermani, Komiteti Olimpik Sirian u vu në dijeni të kësaj historie, duke e ftuar atë në Lojërat Olimpike. Tashmë Yursa Mardinin e njohin si vajza që kaloi detin Mesdhe me not, një histori që u kthye në frymëzim për të gjithë.

Top Channel