Sëmundja e gjedhëve, PD: Qeveria s’po ndihmon fermerët

07/08/2016 00:00

Partia Demokratike denoncon këtë të dielë faktin se, qindra familje në veri të vendit po presin vaksinat për gjedhët e tyre. Për këtë arsye, PD-ja kërkon kompensim për çdo krerë bagëtie të dëmtuar nga neglizhenca qeveritare.

Të pranishme pranë fermerëve të zonës së Hasit kanë qenë deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, si dhe drejtuesja e Departamentit të Bujqësisë, Enkelejda Sallaku. Hasi është një nga zonat më të prekura nga sëmundja nodulare e gjedhit.

Qindra familje fermere të varfëra, që jetojnë me bagëtinë e tyre, nuk kanë pasur mbështetjen e qeverisë ndaj kësaj sëmundjeje që ka prekur gjedhët e tyre, ndaj dhe janë duke pritur vaksinat e shtrenjta. Ndërkohë, shumë familje të tjera janë detyruar të groposin gjedhët e tyre, duke humbur kështu pasurinë e vetme që kanë pasur dhe thuajse burimin e vetëm të ushqimit të fëmijëve të tyre, bën të ditur PD.

“Sëmundja ka disa javë që është shfaqur. Na thanë që do vijnë vaksinat dhe ato nuk kanë ardhur. Kam shkuar vet në Kukës dhe i kam pyetur se do t’i blija vet. Nuk është bërë asnjë përkrahje nga shteti”, u shpreh një fermer.

“Qeveria tha kemi marrë masa, por nuk na kanë ardhur ilaçe. Unë shkova i bleva vet ilaçet, sepse kisha frikë për lopën. 40 deri në 50 mijë lekë. Sesa do jenë efektive nuk e dimë tani, por i blemë vet”, tha një banor tjetër.

Deputetja Hajdarmataj u shpreh se Partia Demokratike do të kërkojë dëmshpërblimin e tyre nga ana e qeverisë.

“Jemi një nga zonat e varfra të vendit që mbahet nga blegtoria. Kemi një ministri inekzistente që nuk po ndihmon fermerët dhe nuk po iu gjendet fermerëve kur hallin e kanë te dera. Ministri ka ardhur te zona juaj, por a po vijnë vaksinat?! Ne jemi këtu që të sensibilizojmë ministrinë që të veprojë më shpejt. Rasti është kapur me vonesë dhe masat po merren me vonesë. Kësaj zone të varfër e të rrënuar po i shtohet edhe taksa e Rrugës së Kombit. Unë si deputete do ngre zërin, që çdo familje e dëmtuar të dëmshpërblehet”, tha Hajdarmataj.

Top Channel