Rio 2016, shënohet incidenti i parë në gjimnastikë (Kujdes! Pamje të rënda)

07/08/2016 00:00

Gjimnastika është një nga sportet më spektakolare gjatë një Olimpiade, por edhe një nga më të rrezikshmet. Këtë e provoi me fakte edhe një prej gjimnastëve francezë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Rios, Samir Ait Said, i cili pësoi një thyerje të tmerrshme të pjesës poshtë gjurit pas saltros mbi kaluç.

26-vjeçari dëmtoi këmbën e majtë në momentin që përfundoi saltron dhe do të bënte uljen mbi dyshekun ndihmues. Ai po merrte pjesë në garat kualifikuese për meshkuj të grupmoshës së tij.

Said, i cili fitoi medalje të artë në Europianin e vitit 2013, u nxor me barrelë nga palestra ku performoi, madje përshëndeti edhe turmën.

Trajnerja e ekipit francez, Corrine Moustard Callon tha se “nuk e dinte çfarë kishte ndodhur, por dyshohet të jetë thyer tibia e tij. Ai ndodhet në spital dhe po ndiqet nga një mjek tashmë. Do të bëjmë më shumë ekzaminime për të parë nëse është vetëm një thyerje kocke, apo më shumë. Është diçka shumë e vështirë për ekipin, pasi ai ishte një nga gjimnastët më të afërt dhe shoqërorë në ekip. Ai erdhi për të fituar medalje dhe dha gjithçka mundej”.

Pamjet e stafit të gjimnastit në momentin e thyerjes së këmbës së tij tregojnë gjithashtu sesa i tmerrshëm ka qenë ai moment për ta, por edhe për atletët e tjerë të pranishëm, të cilët thuhet se i bënin thirrje njëri-tjetrit për të mos hedhur sytë nga gjimnasti i rrëzuar.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel