Basketboll, optimizëm në seancat e kombëtares

07/08/2016 00:00

Kombëtarja e basketbollit për meshkuj do të rikthehet në kualifikueset e Europianit, në një vitrinë ku ka munguar në dy edicionet e fundit. Por, pavarësisht kësaj, në kampin e kuqezinjve të koshit ka optimizëm përballë emrave të vështirë që iu ka rezervuar shorti.

Trajneri Antonis Kostantinides ka larguar nga fokusi objektivat e mëdha, duke preferuar të qëndrojë me këmbë në tokë, për të hedhur bazat e ekipit për të ardhmen.

“Duhet të them që jam shumë i kënaqur nga përgatitjet, pasioni dhe energjia, me të cilin po stërviten lojtarët tanë. Disa nga gjërat që kemi provuar sigurisht janë risi për ta, por na duhet kohë. Kemi mbi një javë përgatitje dhe jam optimist për të ardhmen e kombëtares së basketbollit. Kishim disa dëmtime të vogla, një ose dy lojtarë në fillim të javës, por asgjë serioze”, tha tekniku qipriot.

Shorti i Mynihut e vendosi Shqipërinë në Grupin F, ku do të ketë si rivalë Gjeorgjinë, Malin e Zi dhe Sllovakinë, 3 kundërshtarë të vështirë për ekipin tonë.

“Bëmë një analizë të Gjeorgjisë dhe, nga panorama e parë që kemi, duhet të presim një kundërshtar shumë të fortë me lojtarë të NBA-së dhe Euroligës. Kjo e bën misionin tonë edhe më të vështirë, por e dinim që nga fillimi se do të ishte kështu. Është shpejt të flasim për ndeshjet tani, pasi në fillim duhet të përgatitemi si skuadër, e më pas të fokusohemi te ndeshjet zyrtare”, tha Kostantinides.

Një zhgënjim i madh për teknikun ishte refuzimi i disa lojtarëve kryesorë për të përfaqësuar flamurin kuqezi, por kjo tashmë është kaluar. Ndeshjet e kombëtares kuqezi të basketbollit për meshkuj nisin më 21 gusht, për të përfunduar më 17 shtator.

Top Channel