Sherri në ekipin shqiptar, Calja: Nuk garoj nëse Bezhani s’më kërkon falje

07/08/2016 00:00

Për shumë sportistë ka nisur gara në Rio, ndërsa në ekipin shqiptar vijojnë përplasjet, aq sa peshëngritësi Briken Calja deklaron tërheqjen nga gara, nëse presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani nuk i kërkon falje dhe të mbajë përgjegjësi për çfarë ka bërë publike.

“Nuk e marr vesh, a është Vironi i parë apo i dyti, ky që po flet për Top Channel? Një njeri i tillë duhet të ketë edhe përgjegjësi, sepse është president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Nëse unë jam fajtor, unë tërhiqem nga sot, e them publikisht përsëri”, shprehet Briken Calja.

“Unë nuk jam zari i askujt, jam sportist i ekipit kombëtar dhe nuk pyes askënd”, thotë më tej Calja.

I pyetur nga gazetari Sokol Balla, nëse është i sigurt apo jo për pjesëmarrjen e tij në Olimpiadë, ai thotë:

“Kështu siç po shkojnë gjërat, duke parë edhe përgjigjen e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar… Këtu kam ardhur për të përfaqësuar Shqipërinë, por kur vete puna deri në këtë pikë, dua vetëm që Viron Bezhani të kërkojë ndjesë publikisht”, u shpreh peshëngritësi.

Ndërkohë, Top Channel ka mundur të sigurojë përgjigjen e fundit të kontrollit antidoping, që Calja ka kryer 10 ditë më parë. Konfirmohet që gjithçka është në rregull, madje në stërvitjen e fundit Calja ka ngritur 181 kg, një peshë që sipas të dhënave zyrtare i korrespondon zonës së medaljeve.

Top Channel