Belgjikë, kryeministri anulon pushimet pas sulmit me hanxhar

07/08/2016 00:00

Kryeministri belg është duke u takuar këtë të dielë me shërbimet e sigurisë së vendit, menjëherë pas sulmit me hanxhar nga një agresor ndaj dy policeve femra, njëra prej të cilave me plagë të thella në fytyrë.

Edhe mëngjesin e sotëm, autoritetet belge nuk kanë publikuar asnjë informacion mbi agresorin, i cili raportohet të ketë thirrur “Allahu Akbar” gjatë sulmit të së shtunës, jashtë rrethimit të një stacioni policor në Charleroi.

Ai u qëllua për vdekje nga policia vendase.

Pas sulmit, kryeministri Charles Michel la në mes pushimet e tij në jug të Francës dhe u rikthye në Belgjikë. Ai nisi menjëherë bisedimet mëngjesin e sotëm me shefat e Policisë Federale dhe agjenci të tjera të sigurisë.

Zëdhënësi i Michel, Barend Leyts tha se, agjencia e pavarur “OCAM” që vlerëson risqet ndaj sigurisë së brendshme të Belgjikës, është konsultuar dhe ka vendosur të mbajë të pandryshuar nivelin e kërcënimit.

Top Channel