Iran, ekzekutohet shkencëtari Amiri. U mor peng nga CIA, u rikthye si hero në Teheran

07/08/2016 00:00

Një shkencëtar bërthamor iranian, i cili ndodhej i burgosur që prej vitit 2010, është ekzekutuar sipas asaj që bën të ditur familja e tij për “BBC”.

Nëna e Shahram Amirit thotë se trupi i të birit iu rikthye asaj në vendlindjen e tij me shenja litari përreth fytit të tij, gjë që tregon se ai është varur. Më pas atij i janë kryer të gjitha shërbimet e ceremonisë mortore.

Amiri ishte duke u mbajtur në një vendndodhje sekrete pasi ishte rikthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku kishte shkuar i rrëmbyer forcërisht nga agjentë të CIA-s. Disa raportime kanë bërë të ditur se ai kishte dijeni shumë të thella mbi programin bërthamor të Iranit.

Amiri, i lindur në vitin 1977, u zhduk dhe u shpall i humbur që pasi u rrëmbye në një pelegrinazh në Mekë gjatë vitit 2009. Ai u shfaq në Shtetet e Bashkuara një vit më vonë, teksa rrëfeu se ishte pengmarrë dhe i ishte nënshtruar “presionit të vazhdueshëm psikologjik për të zbuluar informacione tepër të ndjeshme” nga CIA.

Në një videoregjistrim, që me të gjitha gjasat është bërë në SHBA, ai thotë se “e kishin rrëmbyer dhe e kishin futur në një shtëpi pa e ditur se ku ndodhej, dhe se i kishin bërë një injeksion anestezik”. Në një tjetër video, ai pretendonte se ishte arratisur nga paraburgimi në SHBA. Ai u rikthye në Teheran në vitin 2010, teksa u prit me një mirëseardhje prej heroi.

Zyrtarë amerikanë thanë për “BBC” në atë kohë se Amiri kishte dezertuar me dëshirën e tij të plotë dhe se u kishte dhënë “informacione të qenësishme” Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, pas rikthimit të tij në Teheran, u raportua se atij i ishte dhënë një dënim me shumë vite.

Familja e tij konfirmoi arrestimin e tij dhe denoncoi në atë kohë frikën për jetën e tij. Ndaj Iranit ka pasur dyshime prej më shumë se një dekadë se po synon të zhvillojë armët bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon, duke argumentuar se gjithçka bën është me qëllime paqësore dhe për energji bërthamore.

Në janar të këtij viti, Teherani arriti një marrëveshje me fuqitë botërore, sipas së cilës pranoi të kufizonte programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve therëse ekonomike.

Top Channel