“Kur humbisni në një libër nuk keni humbur vetëm në historinë e tij, por keni dalë edhe më të rritur”, është shprehur Flober dhe stina e Verës është koha e duhur kur mund t’i japim vetes kohën për libra dhe lexime.

Gjatë stinës së nxehtë letërsia shqipe është një ndër më të këshilluarat nga botuesit. Emra si Ismail Kadare, Besnik Mustafaj, por edhe Mustafa Nano e Veton Surroi janë të përzgjedhurit për personazhet dhe ngjarjet që ofrojnë.

“Do të sugjeroja që në çantën e pushimeve të mos mungonte romani më i ri i publicistit dhe analistit Mustafa Nano, romani ‘Selam Aleikum Baba’. Një tjetër autor shqiptar që do të sugjeroja këtë Verë është Veton Surroi me librin e tij ‘Perceptimi i dashurisë së Marie Gjonit’, librat e fundit të Ismail Kadaresë, apo përmbledhja e fundit me poezi e Fatos Arapit si dhe Besnik Mustafaj dhe romanin e tij ‘Autoportret në teleskop”, thotë Alda Bardhyli, kryeredaktore e Botimeve “Saras”.

Letërsia e huaj më shumë është një zgjedhje e shijes së lexuesve midis “bestseller”, klasikë, historikë, kujtime apo psikologjikë.

“Do ta nisja nga ‘Qyteti bri lumit’, një nga romancat më të bukura të dashurisë, një libër e shkruar nga një penë kalibri, siç është V.S Naipaul. Martin Amis ka ardhur me dy romane, ‘Treni i Natës’ dhe ‘Shtëpia e Takimeve’, një roman që ka ardhur së fundmi në shqip”, thotë kryeredaktorja Bardhyli.

Zakonisht librat e Verës përcaktohen si “të lehtë”, por ky nuk është një rregull. Preferencë ka sidomos për librat historikë dhe publicistikë. Biografitë dhe librat e kujtimeve po aq.

Por fakt është që libraritë ofrojnë një larmishëmri të madhe zhanresh dhe titujsh, mjafton vetëm dëshira për të lexuar…dhe në valixhen e pushimeve të keni patjetër dy titujt më intrigues.

Top Channel