PD: Xhafaj kompromenton reformën, të largohet nga komisioni

06/08/2016 00:00

Sipas Partisë Demokratike, “shqiptarët kanë pritur me neveri të thellë lajmin se në krye të Komisionit të Reformës në Drejtësi rezulton vëllai i një trafikanti ndërkombëtar droge, me kërkesë ekstradimi nga Gjykata e Lartë e Venezuelës”.

“Fatmir Xhafaj nuk mund të vazhdojë të jetë më pjesë e këtij komisioni, aq më tepër ta drejtojë atë. Ai është në konfliktin me të rrezikshëm të interesit dhe i papranueshëm në sytë e çdo qytetari. Aq më tepër kur, edhe pas publikimit të fakteve, ka heshtur dhe nuk ka mbajtur asnjë qëndrim publik, nuk ka dhënë asnjë shpjegim para shqiptarëve për këtë implikim të tij. Sigurisht, kumbari i kësaj skeme për kapjen e drejtësisë, për të zgjidhur hallet me dosjet e rënda të korrupsionit e krimit qeveritar, është Edi Rama. Dhe ai u vetëshpall si padrino në këtë rast, sepse foli, doli në mbrojtje të trafikantit”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa.
 
“Nuk tha asnjë fjalë se përse vendosi në krye të Reformës në Drejtësi vëllain e të kërkuarit ndërkombëtarisht, asnjë fjalë për faktet, për vendimin e Gjykatës së Lartë të Venezuelës, por thjesht sulmoi opozitën me fjalor rruge dhe e quajti shefin e shpërndarjes së drogës në Itali dhe menaxherin e heroinës në Bolonja, njeri të ndershëm. Ky qëndrim i Edi Ramës rikonfirmon planin e tij për kapjen e drejtësisë, në pjesën e mbetur të punës që ka Komisioni i Reformës, pas dështimit të këtij plani me ndryshimet kushtetuese. Ndaj, është emergjent largimi i vëllait të trafikantit ndërkombëtar të drogës dhe çmontimi i planit ogurzi të Ramës. Komisionit për Reformën në Drejtësi duhet t’i rikthehet menjëherë legjitimiteti me largimin nga drejtimi të vellait të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Agron Xhafaj”, shtoi Zhupa.

Top Channel