Greqi, avioni bën ulje të detyruar në Aeroportin “Makedonia” të Selanikut

05/08/2016 00:00

Një avion i kompanisë greke “Ellinair” ka kryer ulje të detyrueshme në Aeroportin “Makedonia” të Selanikut, pasditen e së premtes.

Avioni i tipit “Boeing 737”, me 147 pasagjerë dhe 5 anëtarë ekuipazhi, ishte nisur për fluturim nga qyteti verior i Greqisë me destinacion Moskën.

Por, menjëherë pas ngritjes nuk ka funksionuar mekanizmi i mbledhjes së rrotave dhe pilotët janë detyruar të fluturojnë mbi qytet, për më shumë se dy orë për të konsumuar karburantin, ndërsa kulla e vrojtimit ka vënë në zbatim protokollin e gjendjes së jashtëzakoshme.

Më pas, avioni është ulur me sukses në pistën e aeroportit, në të cilën kanë qenë në gjendje gatishmërie dhjetëra makina zjarrfikëse dhe ambulanca.

Pasagjerët janë shoqëruar në sallat e aeroportit, por megjithëse kanë kaluar mëse dy orë, ende nuk ka mbërritur avion tjetër i kompanisë për të vazhduar fluturimin.

“Ellinair”, pjesë e kompanisë “Mouzenidis Group” me qendër në Selanik, kryen fluturime në 7 destinacione brenda Greqisë, si dhe në aeroportet e Ukrainës, Rusisë, Gjeorgjisë, Letonisë, Kazakistanit dhe Qipros.

Top Channel