PD, Basha: Do të financojmë arsimin e lartë për fëmijët e familjeve në nevojë

05/08/2016 00:00

Në një reagim të kësaj të premteje, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë publik rastin e një familjeje me dy fëmijët e tyre që bëhen këtë vit studentë, por që e kanë të pamundur t’i ndjekin ata për shkak të tarifave të larta të shkollimit, siç shprehet ai.

Duke u shprehur se Partia Demokratike e ka në përfundim projektligjin e ri për arsimin e lartë, i cili do të jetë edhe ndër të parët që do të miratohet nga mazhoranca e re demokratike me të ardhur në pushtet, kryeopozitare shprehet se do financojë arsimin e lartë për të gjithë fëmijët e shqiptarëve, e veçanërisht me lehtësira të posaçme për kategoritë e atyre familjeve në vështirësi ekonomike, apo që marrin përkrahje sociale.

Më poshtë keni edhe ankesën e plotë të familjes që i shkruan kreut të opozitës.

“Për dijeni zotit Lulzim Basha, kryetar i PD-së së Shqipërisë,

Jam një qytetar i shqetësuar që ju shkruaj për një problem, i cili duhet të merret parasysh pasi është një problem i mprehtë i shumë familjeve shqiptare.

Në këtë vit shkollor akademik, të dy fëmijët e mi bëhen studentë dhe, në bazë të notave të marra, njëri nga ata e ka mesataren 9.92, kurse tjetri një mesatare mbi 9, gjë që më bën të shpresoj se atyre duhet t’u dalin degë të mira në fakultet. Por shqetësimi im qëndron diku tjetër. Në bazë të ligjit për arsimin e lartë, të dy fëmijët e mi duhet të paguajnë një tarifë shkollimi që shkon afërsisht nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Por unë jam një familje me ndihmë ekonomike, e papunë, e cila përkohësisht gjendet në një pozicion të vështirë ekonomik, ndaj dhe e kam pothuajse të pamundur që fëmijët e mi të paguajnë qoftë edhe tarifën e shkollimit, e cila i kalon mundësitë e mia ekonomike.

Ju lutem a mund të planifikoni ose të sugjeroni ndonjë ligj apo VKM, i cili të na lehtësojë sadopak këtë barrë të pamundur ekonomike?

Gjithsej nga ndihma ekonomike mujore, unë si qytetar i këtij vendi marr 4.500 lekë, shumë e cila po të mblidhet dhe për të gjithë vitin nuk e kalon, madje as nuk e arrin shumën e regjistrimit të njërit prej fëmijëve.

Ju lutem vëreni dorën në zemër. Edhe ne jemi qytetarë të këtij vendi dhe shpresojmë që me politikat e qeverisë suaj për punësimin, kjo gjendje e vështirë të marrë fund sa më shpejt, por deri atëherë kërkojmë dhe shpresojmë ndihmën e qeverisë suaj dhe tonës njëkohësisht.

Me respekt, një qytetar nga Shkodra, prind i dy fëmijëve që presin të shkojnë në universitet”.

Top Channel