Tiranë, 6 të arrestuar nën efektin e alkoolit dhe pa patentë

05/08/2016 00:00

Gjashtë persona janë arrestuar gjatë orëve të fundit nga Policia e Tiranës për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa dëshminë përkatëse. Dy prej të arrestuarve kanë shkaktuar edhe aksidente për shkak të konsumit të pijeve alkoolike, por fatmirësisht pa viktima, vetëm me katër persona të plagosur.

Në këtë javë mjaft të rënduar me aksidente fatale, ku janë shënuar 7 viktima në dy aksidente, policia ka shtuar ndjeshëm prezencën e saj në rrugë, ndërsa janë shtuar patrullimet edhe në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës.

Por megjithë apelet e lëshuara dhe ngjarjet tragjike, sërish persona të papërgjegjshëm marrin drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit ose edhe pa patentë, duke u bërë kështu një rrezik serioz në rrugë jo vetëm për vete por edhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, qofshin këta këmbësorë apo drejtues të mjeteve të tjera.

Për këtë arsye, policia kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që të njoftojnë menjëherë nëse konstatojnë persona të dehur në drejtimin e mjeteve.

Top Channel