Tiranë, nis rikonstruksioni i 200 shkollave

05/08/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e 200 shkollave të cilat pritet të jenë gati deri në muajin shtator . Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, inspektoi punimet në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.

“Nuk mund të jemi as pranë lumenjve të palarë, as pranë dritës të panxënë. Ndaj, po punojmë edhe në ujësjellës, edhe në pastrim, që Tirana të jetë e larë, po punojmë edhe në infrastrukturë arsimore që qyteti të jetë me nxënës dhe fëmijë të shëndetshëm falë edhe këtyre terreneve të reja sportive”, deklaroi Veliaj.
 
Sipas Veliajt, brenda vjeshtës do të nisë ndërtimi i 20 shkollave të reja me qëllim krijimin e kushteve optimale për nxënësit dhe eliminimin e mësimit me turne.

“I kemi kërkuar drejtorisë arsimore që, në bashkëpunim me bashkinë, t’i maksimizojmë hapësirat, të mos kemi mbidyndje në disa shkolla dhe defiçit pranimesh në shkolla të tjera, por sigurisht të shikojmë mundësitë ku mund të bëjmë shtesa godinash, për t’u siguruar që shkollat me reputacion të bëjnë maksimumin për të akomoduar sa më shumë nga të rinjtë dhe fëmijët e Tiranës”. Bashkia e Tiranës i ka piketuar 20 vendet ku do të ndërtojë shkollat e reja dhe nëpërmjet një partneriteti publik-privat, do t’u kërkojmë investitorëve ta investojnë të gjithë shkollën njëherësh, ndërsa pagesën ta zgjasin ndër vite”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Top Channel