Antitank ndaj Kuvendit të Kosovës, pa të lënduar. Mustafa: Sulm ndaj Pavarësisë

05/08/2016 00:00

Pas sulmit së të mërkurës në mbrëmje në orën 23:00 në Kuvendin e Kosovës, policia ka dhënë detaje mbi ngjarjen. Edhe pse autorët mbeten ende të paidentifikuar, forcat blu kanë arritur të gjejnë në vendngjarje prova si: mjet për hedhjen e predhave, shishe benzine dhe një motoçikletë e djegur jo larg nga vendi i ngjarjes.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, deklaroi se dëshmitë do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit, pasi motoçikleta mendohet se ishte përdorur për lëvizjen e atentatorëve .Si pasojë e këtij sulmi nuk ka pasur raportime për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në murin e ndërtesës së Kuvendit, po ashtu janë dëmtuar dhe disa vetura zyrtare të cilat kanë qenë të parkuara.

Ndërsa policia po vijon hetimet dhe analizimin e të gjitha fakteve, Kuvendi i Kosovës u mblodh një ditë pas sulmit për të zhvilluar një seancë plenare e cila ndoqi si zakonisht rendin e ditës.

Prishtina është e qetë, ndërsa të gjitha forcat politike dhe institucionet e dënuan ngjarjen. Qeveria e dënoi ashpër ngjarjen duke e cilësuar atë si një sulm drejtuar kundër të gjitha institucioneve dhe shtetit.

Po ashtu, ngjarjen e dënoi edhe Presidenti Hashim Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës, Nisma, Lëvizja Vetëvendosje, si edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. AAK tha se kjo ngjarje ka nxjerrë ne pah “lakuriqësinë e shtetit”, i cili sipas Aleancës është i paaftë për të reaguar me kohë.

Ndërkaq krerët e shtetit mbajtën një takim urgjent me ambasadorët e “Quint”-it. Temë e diskutimit ishte demarkacioni dhe siguria në vend.

Sulmi në Prishtinë ndodhi ditën kur qeveria miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në Parlament.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Europian.

Top Channel