Kostot, 4.58 mld dollarë për Lojërat Olimpike

05/08/2016 00:00

Lojërat Olimpike startojnë zyrtarisht me ceremoninë hapëse e cila do të fillojë rreth orës 01:00 të mëngjesit së të shtunës në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros. Investimet për këto lojëra kanë arritur shifra të çmendura.

Përgjithësisht të gjitha vendet organizatore të Lojërave Olimpike tejkalojnë bindshëm shpenzimet për organizimin e tyre. Në fundin e vitit 2015, në Hamburg njerëzit refuzuan që qyteti i tyre të ishte kandidat për organizimin e Olimpiadës së 2024-s dhe shpenzimet e jashtëzakonshme që kërkon organizimi i këtyre lojërave, ishte arsyeja kryesore.

Sipas studimit të olimpik të Oksfordit për vitin 2016, Rios i kanë kushtuar përgatitjet e këtyre lojërave rreth 4.58 miliardë dollarë, duke tejkaluar parashikimet me 51%.

Edhe pse ngjan një shifër marramendëse, kjo është thuajse asgjë krahasuar me shifrën që kanë kushtuar Lojërat Dimërore Olimpike “Soçi 2014” në Rusi. Organizimi i tyre tejkaloi në mënyrë katastrofike buxhetin fillestar, duke shkuar në shifrën e 20 miliardë dollarëve, që do të thotë se buxheti fillestar tejkaloi me 289%.

Kjo shifër mbetet rekord në studimin e bërë nga Oksfordi i cili ka analizuar shpenzimet duke filluar nga Olimpiada e Barcelonës e vitit 1992 që gjithashtu ka patur një tejkalim shumë të madh, ashtu si ajo pasardhësja e Lilhamerit në Norvegji.

Top Channel