Hap fals i brazilianëve, barazojnë me Afrikën e Jugut

05/08/2016 00:00

Brazili e nis me një hap fals Olimpiadën “Rio 2016”. Skuadra “selecao” e udhëhequr nga Neymar nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në ndeshjen debutuese kundër Afrikës së Jugut.

Verdhjeshilët dhuruan shumë zhgënjim për të pranishmit në stadiumin “Nacional Mane Garrincha” të Brasilias. Një barazim që heq shkëlqimin e Brazilit ku trajneri Rogerio Micale debutoi në mënyrën më të keqe edhe pse objektivi i tij është fitorja e medaljes së artë.

Pas startit të dobët Brazili fitoi terren dhe në pjesën e dytë arriti ta dominonte kundërshtarin që për më tepër luajti me 10 lojtarë për 30 minuta lojë.

Edhe në ndeshjen tjetër të këtij grupi mes Danimarkës e Irakut nuk pati gola. Brazili do të rikthehet në fushë të dielën për të sfiduar Irakun në një sfidë ku do të kërkojë me ngulm 3 pikëshin e parë olimpik.

Në Grupin D, Hondurasi kaloi 3-2 Algjerinë, ndërsa Portugalia mundi pastër 2-0 Argjentinën. Zhgënjim edhe për Gjermaninë që barazoi 2-2 me Meksikën, ndërsa Nigeria dhe Japonia shënuan plot 9 gola në takimin ku triumfuan afrikanët.

Një tjetër takim i mbyllur në barazim 2-2 ishte edhe ai mes Suedisë e Kolumbisë.

Top Channel