Kosovë, politika dënon sulmin ndaj Kuvendit

05/08/2016 00:00

Rruga “Agim Ramadani” në Prishtinë i është kthyer normalitet dhe autoritetet kanë lejuar lëvizjen e qytetarëve pas sulmit me mjete shpërthyese ndaj Kuvendit të Kosovës. Mediat kosovare shkruajnë se ndërtesa e Kuvendit u sulmua në orët e vona të ditës së enjte me predha antitank.

Veç dëmeve materiale, fatmirësisht, nuk ka të lënduar në njerëz. Në vendgjarje janë të pranishme forca të Policisë së Kosovës dhe gjithashtu KFOR0it, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e autorëve. Autoritetet e Kosovës raportojnë se në një zonë tjetër të kryeqytetit është gjendur një motoçikletë e djegur dhe dyshohet se ajo është përdorur nga agresorët për t’u larguar nga vendi i sulmit.

Policia dyshon se bëhet fjalë për dy persona që sulmuan Kuvendin me predha antitank. Prani policore ka në të gjitha rugët e Prishtinës dhe janë kryer shumë kontrolle automjetesh dhe qytetarësh. Ende nuk dihen se cilat janë motivet e sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit. Sulmi u dënua ashpër nga polika në Kosovë dhe AAK-ja ishte subjekti që reagoi më shpejt, duke e cilësuar agresonin si “akt kriminal dhe sulm ndaj shtetit dhe demokracisë”.

Në të njëjtin kuadër reagoi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se sulmi ishte një agresion i qartë ndaj pavarësisë së vendit. Edhe presidenti Hashim Thaçi dënoi sulmin duke thënë se ata që e kanë kryer nuk duan të mirën e Kosovës.

Politikanët në Kosovë janë të mendimit se autorët e sulmit janë njerëz që përfitojnë nëse ka destabilitet, prandaj duhen ndaluar dhe nxjerrë para drejtësisë.

Top Channel