Egjipt, vritet kreu i Shtetit Islamik në Sinai. Vdesin 45 xhihadistë

04/08/2016 00:00

Ushtria egjiptiane ka njoftuar vrasjen e kreut të degës së të ashtuquajturit Shtet Islamik në gadishullin e Sinait, mes dhjetëra luftëtarëve të tjerë xhihadistë të goditur nga një seri sulmesh ajrore. Bëhet fjalë për Abu Duaa al-Ansari, kreun e grupit “Ansar Beit al-Maqdis” apo siç njihet më gjerë “Provinca e Sinait”. Sulmet ajrore kishin për objektiv vendstrehimet e tyre pranë qytetit El-Arish.

“Provinca e Sinait” është njëri prej grupeve më aktivë të kryengritësve në Egjipt, ndërsa ka qenë i lidhur me një seri sulmesh vdekjeprurëse të ndërmarra qoftë në gadishullin egjiptian, ashtu dhe në Kajro.

Ushtria egjiptiane bëri të ditur se “sulmet ajrore lanë më shumë se 45 terroristë të vrarë, dhjetëra të tjerë të plagosur, si dhe disa arka të mbushura me armatime të shkatërruara”.

Ushtaraku Mohammed Samir, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” tha se Ansari ishte vrarë gjatë një operacioni të udhëhequr prej burimeve të sakta të inteligjencës. Por, nuk dha detaje se kur ndodhi ky operacion.

Sulmet ajrore janë fokusuar kryesisht në zonat jugore dhe jugperëndimore të El-Arishit, qytetit më të madh në veri të Sinait. Grupi xhihadist, i cili ka qenë aktiv në gadishull që prej vitit 2011, nuk ka lëshuar asnjë deklaratë pas asaj të ushtrisë.

Top Channel