Serbi, Gjuriç: Nuk do ta heqim Kosovën nga Kushtetuta

04/08/2016 00:00

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar se Serbia nuk do ta ndryshojë Kushtetutën e saj, gjë që do të kërkonte heqjen e Kosovës prej saj, pasi kjo paraqet besimin e 90 për qind të popullsisë.

Ndërkohë që është shprehur se Kosova do të duhej që në Kushtetutën e saj të fusë edhe lidhjet institucionale me Serbinë.

Gjatë një interviste të dhënë për televizionin “B92”, ai ka thënë se hyrja e Serbisë në BE nuk do të përbëjë shkak për heqjen nga preambula e Kushtetutës serbe të Kosovës, “bazuar në argumentet historike, politike dhe morale”.

Gjuriç pranoi se në negociatat me Prishtinën, Asociacioni i Komunave serbe vazhdon të jetë çështja kryesore për Beogradin. Drejtori i zyrës për Kosovën ka folur gjithashtu për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër.

“Për sa kohë që e gjithë rruga ‘Mbreti Petër’ nuk shndërrohet në një shëtitore për këmbësorët, hapja e urës nuk do të ndodhë. Për ne është e rëndësishme siguria në Mitrovicëdhe duhet të sigurohemi, që autokolonat nuk mund të futen nga ana jugore në pjesën veriore të Mitrovicës. Për ne është e rëndësishme që postblloku i KFOR-it të jetë afër”, ka deklaruar Gjuriç.

Top Channel