Rusia me 270 atletë në Olimpiadë

04/08/2016 00:00

Rusia do të marrë pjesë në Olimpiadën e Rios me 270 atletë. Ky vendim është bërë publik në një konferencë për shtyp të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Në prag të këtyre lojërave, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i kishte kërkuar secilës federatë që të vlerësonte situatën e atletëve rusë dhe të vendosnin ato nëse do të penalizoheshin apo jo për shkak të skandalit të dopingut, për të mos marrë vendime pezullimi kolektive.

Por pati edhe disa federata që morën vendime kolektive për të pezulluar sportistët siç ishte rasti i Federatës Botërore të Peshëngritjes që pezulloi të 8 peshëngritësit rusë dhe ky vendim nuk u kthye dot as nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës.

Deri më tani KAS ka shqyrtuar 18 apelime të sportistëve rusë që nga data 26 korrik, një numër rekord ky për një Olimpiadë.

Top Channel