Siguria në plazhe, Policia fajëson bashkitë: Nuk bashkëpunojnë

04/08/2016 00:00

Policia e Shtetit kërkon nga organet e pushtetit lokal të marrë masa të menjëhershme për të krijuar kushtet për sigurinë e pushuesve në plazhe. Drejtori i Kufirit në Policinë e Shtetit, Genc Merepeza, në një intervistë sqaroi se bashkitë nuk bashkëpunojnë në këtë pikë dhe neglizhojnë për të komunikuar me organet e rendit dhe sigurisë.

“Nuk janë vendosur korridoret e daljes së mjeteve të argëtimit në det. Nuk janë vendosur kufizuesit deri në 300 metra siç e parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave. Ne kemi nisur shkresa jo vetëm ndaj Bashkisë së Himarës, por edhe asaj të Vlorës, të Sarandës, të Pogradecit, Durrësit. Gjithashtu edhe në Shkodër lidhur me problemin e plazhit të Velipojës. Që të jem i sinqertë nuk ka pasur reagim”, tha Merepeza.

Forcat e Policisë Kufitare, gjatë kësaj vere kanë bllokuar një numër të madh të mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës, por edhe për shkak të shkeljeve të rregullave të lundrimit në det, si dhe ka vendosur një sërë gjobash për ata që nuk kanë respektuar lundrimin në zonat e përcaktuara.

“Unë mund t’iu them pushuesve se, që nga fillimi i sezonit turistik, Policia Kufitare si pjesë e Policisë së Shtetit ka ndërhyrë në 76 raste dhënie ndihme, duke shpëtuar 130 jetë njerëzish nga mbytja. Këto janë statistika kokëforta që tregojnë se ne jemi në krye të detyrës”, deklaroi më tej Merepeza.

Top Channel