Ishujt Lofoten në Norvegji, magjia e re e “Hollivudit”

04/08/2016 00:00

Ishujt norvegjezë Lofoten janë edhe një peizazhet më magjike turistike të botës. Por vitin e fundit, ato janë kthyer në një shesh të madh xhirimi, kjo për shkak se shumë regjisorë dhe skenaristë kanë përzgjedhur rivierën norvegjeze për të realizuar filma të mëdhenj hollivudianë.

Aty janë xhiruar prodhime të ndryshme kinematografike, ndër më popullorët filmi “Frozen” i “Disney”-t, e po ashtu Matt Damon po realizon tashmë në ishujt Lofoten një komedi, që do të publikohet në vitin 2017. Kjo ka bërë që publiciteti i rivierës norvegjeze të rritet edhe më tepër, ndërsa numri i turistëve këtë vit ka kapur majat.

Por për autoritetet lokale kjo nuk është në të mirën e tyre. Një numër kaq i lartë vizitorësh rrezikon peizazhin e virgjër të ishujve Lofoten. Me një gërshetim të majave të thepisura, detit të qetë dhe shtëpive karakteristike, ishujt Lofoten janë kthyer në një sensacion turistik, ku më shumë se 1.5 milionë njerëz kanë prenotuar këtë vit pushimet e tyre.

“Është e vështirë”, tha Hans Fredrik Sordal, kryetari i komunës së Flakstad, pasi përsa i përket turizmit, ai është tërësisht i paekuilibruar. Fluksi sa vjen dhe shtohet. Po ashtu, fluksi i madh i makinave ka rritur rrezikun për aksidente në shtigjet e ngushta malore.

Top Channel