Aksidentet, PD: Edi Rama përgjegjës për kaosin e pasigurinë

04/08/2016 00:00

Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, deklaroi se aksidenti tragjik në Dibër ku humbën jetën tre qytetarë dhe mbeti i plagosur rëndë një 27-vjeçar, është dëshmia e ditës për kaosin total në rrugët tona dhe mungesën e theksuar të sigurisë.

“Siguri, që qeveria e Edi Ramës nuk e ofron më prej kohësh. Aksidentet janë shtuar në mënyrë dramatike dhe qytetarët po bëhen çdo ditë dëshmitarë të skenave fatale nëpër rrugët e vendit. Tre ditë më parë, 4 të vdekur nga aksidenti në Velipojë. Katër ditë më parë, dy të vdekur në rrugën Fushë-Krujë-Lezhë. Më 1 gusht një i vdekur në rrugën Levan-Tepelenë. 10 ditë më parë, tre të vdekur e 5 të plagosur në Gjirokastër. Një bilanc lufte”, tha Hajdarmataj.

Deputetja, e cila e quajti një kaos total atë çfarë ka ndodhur ditëve të fundit, tha se e ka burimin kryesor tek përqendrimi i vëmendjes së Edi Ramës në biznesin e drogës dhe se policia është atje duke ruajtur parcelat me kanabis e duke vjelë 30 përqindëshin.

“Policia bëhet prezente gjithnjë pas ngjarjeve, dhe askush nuk merr përgjegjësi, por kërkohet faji tek bashkitë apo institucionet e tjera. Mbarë opinioni publik dhe përfaqësuesit me zë të medias kanë reaguar këto ditë për gjendjen e rënduar të pasigurisë, por i vetmi që nuk reagon është Edi Rama dhe Tahiri i tij. Pse? Sepse është koha e korrjes së drogës, dhe është momenti i miliona eurove që merren nga hambarët e hashashit në gjithë vendin, dhe ky është interesi i tyre i vetëm”, vijoi deputetja.

Sipas saj,arsye tjetër e aksidenteve është mosinvestimi në infrastrukturë në ato që njihen si pika të rrezikshme. “Edi Rama, pjesën më të madhe të parave i çon për udhëtime jashtë, për rregullime zyrash, për palma e fasada. Kur dihet se, siguria, është dhe duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm”, deklaroi ajo.

Partia Demokratike bën përgjegjës për këtë pasiguri Edi Ramën, që deputetja tha se është “njeriu që rreh gjoksin se po lyen me bojë muret e komisariateve, ndërkohë që rrugët e vendit po lahen çdo ditë me gjakun e qytetarëve”.

“Edi Rama e ka braktisur ‘de facto’ mandatin e tij si kryeministër, ndaj ka ardhur koha të largohet edhe de jure, për ti dhënë fund pasigurisë dhe krizës që po kalon vendi. Shqipëria do të jetë më e sigurtë dhe më e mirë pa Edi Ramën”, përfundoi Hajdarmataj.

Top Channel