S’ka më arinj nëpër zona turistike, arrestohet mbajtësi në Sarandë

04/08/2016 00:00

Nëpër plazhe apo vende të tjera turistike nuk do të ketë më qytetarë, të cilët kanë kapur arinj në pyll dhe i shfrytëzojnë ato për arsye përfitimi. Ariu i murrmë, i cili është lloj i mbrojtur i faunës së egër, është në vëmendje të Ministrisë së Mjedisit.

Dy arinj të vegjël i janë sekuestruar një qytetari në Sarandë, i cili më parë ka vrarë arushën për të shfrytëzuar dy këlyshët e saj.

“Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve ka bërë të mundur, pas ankesave të shumta të ardhura nga agjenci të ndryshme europiane, por edhe banorë të zonave të ndryshme, apo pushues e turistë të ndryshëm në zonat tona bregdetare, evidentimin e të gjithë kafshëve që mbahen në kushte të mjerueshme. Në rastin e mbrëmshëm, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, është bërë i mundur arrestimi i shtetasit që mbante në kushte të mjerueshme këta dy arinj të vegjël, vendas dhe vetëm 5-muajsh”, tha Ergys Agasi, nga Inspektoriati Shtetëror i Pyjeve dhe Mjedisit.

Janë identifikuar gjithsej 60 arinj të murrmë, të cilët shfrytëzohen dhe trajtohen keq nga qytetarët. Dhjetë prej tyre janë marrë dhe u është mundësuar rehabilitimi në vende jashtë Shqipërisë. Përveçse kosto, ariu i murrmë kërkon habitat të posaçëm dhe Shqipëria ende nuk ka një të tillë. Dy arinjtë e vegjël janë marrë nga Bashkia e Tiranës për t’i rehabilituar në Kopshtin Zoologjik me një status të veçantë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel