Britani, normat e interesit ulen në 0.25%

04/08/2016 00:00

Norma e interesit në Britaninë e Madhe është shkurtuar me 2.5 pikë përqindjeje, nga 0.5% në 0.25%, ndërsa Banka e Anglisë ka sinjalizuar se ajo mund të ulet edhe më tepër nëse ekonomia përkeqësohet.

Banka njoftoi një sërë masash për të stimuluar ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar, përfshi këtu skemën prej 100 miliardë paund për të detyruar bankat të ulin normat e interesit për individët dhe bizneset. Ajo do të blejë gjithashtu 60 miliardë paund nga borxhet qeveritare, si dhe 10 miliardë paund nga borxhet e koorporatave.

Guvernatori Mark Carney tha se momentalisht nuk kishte më hapësira për ta ulur më tej normën e interesit. Ai shtoi se shumica e Komitetit të Politikave Monetare, i përbërë nga 9 anëtarë, mbështeti shkurtimin e mëtejshëm të normave nëse treguesit e rinj do të tregojnë se ekonomia po përkeqësohet.

Carney mbajti një qëndrim të ashpër ndaj bankave dhe në njoftimin e kushteve të skemave të financimit. Kjo skemë do t’u jepet drejtpërdrejt bankave me interesa afër normës së re prej 0.25%, për t’i inkurajuar ato të vendosin interesa më të ulëta për bizneset dhe individët.

Guvernatori tha se bankat nuk kanë “justifikim” për të mos kaluar në kosto më të ulëta të huamarrjes për klientët e tyre, si dhe do të gjobiten nëse do të dështojnë ta bëjnë diçka të tillë.

Banka e Anglisë njoftoi gjithashtu shkurtimin më të madh të parashikimeve të saj të rritjes, që kur ka nisur ta bëjë diçka të tillë në vitin 1993. Ajo e ka reduktuar parashikimin e ri për rritjen ekonomike të vitit 2017 nga 2.3% që pritej gjatë muajit maj, në 0.8%.

Carney tha se vendimi për të dalë nga tregjet e Bashkimit Europian shënoi “një ndryshim regjimi” në të cilin Britania duhet të “ripërcaktojë hapjen e saj ndaj lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitaleve”.

Sipas tij, “i kemi marrë këto hapa sepse parashikimi ekonomik ka ndryshuar dramatikisht, madje me rishikimin më të madh të parashikimit tonë të GDP-së që kur kemi formuar mekanizmin e parashikimit rreth dy dekada më parë”.

Top Channel