Misionet e shpëtimit, helikopterë për aksidentet dhe rastet urgjente në plazhe

04/08/2016 00:00

Dy muajt e sezonit turistik që kaluan qershor-korrik kanë shënuar fluks të lartë të aksidenteve dhe për një pjesë të të aksidentuarve është nevojitur transport ajror. Shefi i njësisë së helikopterëve të transportit mjekësor thotë se java e fundit e muajit korrik ka qenë më ngarkuar dhe janë transportuar edhe dy pacientë njëherësh.

“Deri më tani kemi kryer 200 misione, 710 fluturime. Na është dashur shpesh të transportojmë dhe mjekë nga Tirana drejt spitalit të Sarandës dhe Gjirokastrës”, shprehet Albert Xhafaj, shef i njësisë së helikopterëve.
 
Ministri i Shëndetësisë e Ilir Beqaj tha se u janë përgjigjur në kohë të gjitha nevojave si me ambulanca ashtu dhe helikopterë.

“Javën e fundit të korrikut kemi 13 misione. Ne u jemi përgjigjur të gjitha nevojave për të sjellë në kohë optimale rastet e rënda të traumës, apo edhe të sëmurë të tjerë”, thotë Beqaj.

Për mbarëvajtjen e sezonit turistik, përveç gatishmërisë së urgjencave dhe qendrave shëndetësore, Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror po mban në kontroll subjektet që ofrojnë shërbime. Një ditë më parë inspektorët janë ndalur në zonën e Velipojës, e cila frekuentohet masivisht nga pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia.

“Kemi marrë 60 masa administrative . Gjithçka bëhet për të rritur cilësinë në funksion të zhvillimit të turizmit”, thotë kreu i ISHSH, Eltar Deda.

Inspektimet vijojnë nga Veriu në Jug në zonat turistike bregdetare dhe ato malore.

Top Channel