Turqia lëshon urdhërarresti për klerikun Gulen

04/08/2016 00:00

Një gjykatë e Stambollit ka lëshuar një mandatarresti për klerikun mysliman që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, për shkak të asaj që autoritetet turke e konsiderojnë si ndikim i tij në tentativën e dështuar të grushtit të shtetit të 15 korrikut.

Urdhërarresti shoqërohet me argumentin se, Gulen akuzohet “për urdhërimin e grushtit të shtetit të 15 korrikut”, të paktën nga sa raporton agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”. Turqia u ka bërë vazhdimisht thirrje Shteteve të Bashkuara për ta ekstraduar klerikun, i cili nga ana e tij mohon të ketë pasur rol në atë ngjarje.

Në Turqi ka nisur një fushatë e gjerë spastrimi ndaj atyre që besohen të kenë qenë përgjegjësit e përpjekjes së dështuar për grusht shteti, shumica e të cilëve konsiderohen si mbështetës të klerikut mysliman që jeton në ekzil të vetimponuar.

Dhjetëra mijëra punonjës të sektorit publik janë pezulluar apo shkarkuar nga puna, ndërsa disa të tjerëve u janë anuluar pasaportat. Ka pasur gjithashtu edhe një riorganizim masiv të ushtrisë. Të paktën 18 mijë janë arrestuar apo burgosur deri më tani.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan është angazhuar gjithashtu të luftojë edhe bizneset e lidhura me Gulenin. Në një mbledhje me krerët e Dhomave të Tregtisë në Ankara gjatë së enjtes, ai u tha atyre se “organizata gyleniste ka hedhur rrënjë edhe në botën e biznesit. Ndoshta këto rrënjë janë edhe më të fortat e tyre, pasi ekziston një rregull sipas të cilit, asnjë projekt nuk mund të konkludohet me sukses nëse nuk ka financim. Ndaj dhe ne jemi totalisht të vendosur t’ia këpusim lidhjet e biznesit kësaj organizate, e cila ka lyer duart me gjak”.

Më shumë se 270 persona humbën jetën gjatë trazirave të asaj nate të 15 korrikut. Gulen jeton në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që Turqia thuhet se ende nuk ka bërë një kërkesë formale për ekstradimin e tij. SHBA-të kanë bërë të ditur gjithashtu se sistemi amerikan i drejtësisë do ta marrë në konsideratë këtë kërkesë vetëm pasi të dërgohet në rrugë formale. Ndërkohë që ka kërkuar edhe prova për përfshirjen e klerikut në tentativën e grushtit të shtetit, gjë që Turqia thotë se e ka bërë.

Top Channel