“Luftë” në rrugë, 3 të vdekur në aksidentin në kufi me Maqedoninë

04/08/2016 00:00

Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa një i katërt ndodhet në Spitalin e Dibrës së Madhe, në Maqedoni, jashtë rrezikut për jetën.

Në mesditë, salla operative e Policisë së Dibrës mori njoftimin për një mjet të rënë në humnerë. Pasi kanë shkuar në vendin e ngajrjes, shërbimet policore konstatuan se në hyrje të fshatin Trebisht të Bulqizës, një mjet tip Opel Astra, me targa AA 791 JY, kishte dalë nga rruga dhe kishte përfunduar në greminë.

Në automjet udhëtonin 4 persona, 3 prej të cilëve u gjetën të pajetë nga policia, brenda automjetit të rënë në greminë. I vetmi që u gjet me shenja jete ishte Gentjan Sula, 27-vjeçar nga fshati Ostren, i cili u dërgua me shpejtësi drejt spitalit maqedonas, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Viktimat e këtij aksidenti të rëndë janë Azem Karabrahimi, 21 vjeç banues në fshatin Ostren; Elena Bajrami, 32 vjeç banuese në fshatin Tuçep të Rrethit Dibër; si dhe Musa Nuredini, 55-vjeçar.

Policia tha se filloi menjëherë hetimet në lidhje me këtë aksident të rëndë. Ndërkohë, në një informim të orëve të pasdites, policia bëri të ditur se shkaku i daljes nga rruga të makinës në Trebisht të Bulqizës dyshohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

Nga hetimet dyshohet se automjeti drejtohej nga shtetasi Azem Karabrahimi, i cili ka humbur jetën, ndërsa në automjet ishte motra e tij Elena Barjami, si dhe kushëriri i largët Musa Nuredini, të dy të gjetur të pajetë. Ndërsa shtetasi Gentian Sula, kushëri i dy viktimave motër e vëlla ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, për të cilin thuhet se është hedhur nga makina në momentin që po rrokullisej në humnerë.

Shtetasit e aksidentuar ishin duke u kthyer nga Maqedonia me destinacion Trebishtin, edhe pse të katërt ishin nga fshati Ostren i Vogël.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel