Lirimi i amerikanëve, SHBA: Nuk e paguam Iranin

04/08/2016 00:00

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë akuzat se i pagoi Iranit 400 milionë dollarë në këmbim të lirimit të 5 të burgosurve amerikanë. Këta të fundit u liruan në janar në një shkëmbim me 7 të burgosur iranianë që kishin shkelur sanksionet amerikane, të paktën ky është versioni zyrtar.

Shkëmbimi ndodhi ndërsa SHBA hoqi sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit si pjesë e marrëveshjes për programin bërthamor të këtij vendi. Por, në të njëjtën kohë, SHBA dërgoi në Iran me avion 400 milionë dollarë në valuta të ndryshme. Dërgimi i parave u raportua nga gazeta e Wall Street, duke sugjeruar se pagesa në euro, franga zvicerane dhe valuta të tjera u bë për lirimin e të burgosurve amerikanë.

Por, sipas Shtëpisë së Bardhë, paratë zgjidhën një kontradiktë mes dy vendeve që datonte që para revolucionit islamik të vitit 1979. Zyrtarë amerikanë thanë se para vitit 1979, qeveria e Iranit bleu pajisje ushtarake amerikane në vlerën 400 milionë dollarë, por ardhja e revolucionit nuk lejoi kryerjen e tregtisë dhe tani SHBA ktheu mbrapsht paratë.

Por duket se ky justifikim ka shtuar edhe më shumë dyshimet dhe republikanët akuzojnë qeverinë se ju nënshtrua regjimit iranian. Ata akuzuan politikën e jashtme të çiftit Obama-Trump se jo vetëm kanë bërë pakt bërthamor me sponsorin më të madh të terrorizmit në botë, por gjithashtu i dërgojnë para Iranit në mënyrë sekrete.

Top Channel