Meta takohet me Lajçak në Sllovaki

04/08/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, vendi i të cilit mban dhe presidencën e radhës së BE-së.

Meta informoi Lajçakun mbi miratimin me konsensus të paketës kushtetuese të reformës në drejtësi, si dhe kalendarin e miratimit e ligjeve të tjera që e bëjnë këtë reformë efektive, duke filluar me ligjin për Vettingun.

Gjatë takimi, kryetari i Kuvendit theksoi se fryma e konsensusit që u demonstrua gjatë miratimit të kësaj reforme do të vazhdojë edhe me ligjet e tjera. Sakaq, Meta vlerësoi mbështetjen që Sllovakia i jep proceseve integruese të Shqipërisë dhe perspektivës së saj evropiane dhe shprehu besimin se me miratimin e ligjeve në kuadër të reformës në drejtësi dhe implementimin e suksesshëm të saj, Shqipëria do të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për fillimin sa më parë të negociatave për anëtarësim.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi presidencën sllovake për vëmendjen që i kushton zgjerimit dhe integrimit në BE të vendeve të Ballkanit dhe garantoi se Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për përmbushjen e pesë prioriteteve.

Lajçak shprehu besimin se politika e zgjerimit nuk do të ndikohet nga zhvillimet e fundit në Evropë dhe inkurajoi Shqipërinë të thellojë reformat, duke filluar me zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi.

Top Channel