Shqiptari nga Kosova përleshet me 3 malazez e 2 maqedonas në traget

04/08/2016 10:00

Një 28-vjeçar nga Mali i Zi është plagosur me thikë gjatë një konflikti me një shqiptarë nga Kosova në tragetin e linjës Ankona-Durrës, ndërsa në sherr janë përfshirë dhe udhëtarë të tjerë, shtetas maqedonas e malazezë.

Mëngjesin e së enjtes, policia e Durrësit njoftoi arrestimin në flagrancë të 36-vjeçarit, Altin Hakamit, lindur në Mitrovicë dhe banues në Londër, si dhe nisjen e procedimit penal ndaj katër shtetasve të huaj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30, në tragetin që ishte në lundrim. Pas një konflikti për motive të dobëta, Hakami plagosi me thikë 28-vjeçarin, banues në Mal të Zi, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dëmtime ka marrë dhe Altin Hakami e bashkëshortja e tij 35-vjeçare që ndodhen në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Në sherr janë përfshirë dhe kanë mbetur të dëmtuar lehtë edhe dy shtetas të tjerë nga Mali i Zi dhe një nga Maqedonia. Ata po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje, ndërsa ndaj të arrestuarit Hakami, që po kthehej për pushime në vendlindje me familjen, është ngritur akuza e plagosjes së rëndë me dashje.

Top Channel