Nga Lazio te Chelsea, në sulm për talentin shqiptar

04/08/2016 00:00

Për 19-vjecarin shqiptar interesohen klubet të rëndësishme në Europë, ku spikat emri i Chelseat. Sipas mediave holandeze, Milot Rashica është prej kohësh nën vëzhgimin e “Bluve” të Londrës, që me sa duket thjesht presin momentin e duhur për t’u hedhur në sulm.

Ndërkaq në Holandë janë Ajaksi i Amsterdamit dhe PSV Eindhoveni që prej kohësh i janë vënë pas talentit kuqezi, por Vitesse po reziston me qëllim arkëtimin e një shumë sa më të majme për kartonin e tij. Klubi nga Arnhem e konsideron të pashitshëm, por përballë një ofertë joshëse, vështirë se do të mund të rezistojë.

Gjatë muajve të fundit shtypi sportiv italian ka informuar rregullisht për interesimin e Napolit në Serinë A, ndërsa në orët e fundit listës së klubeve që kërkojnë Rashicën i është shtuar edhe Lazio. Drejtori Sportiv i bardhekaltërve, Igli Tare, i angazhuar për të siguruar shërbimet e Bastian Schweinsteiger, po studion mundësinë për të mbërritur të Rashica, por vështirë se klubi roman të konkurrojë me Chelsean.

I lënë jashtë listës përfundimtare të kuqezinjve në Euro 2016, Rashica pritet të jetë pjesë e rëndësishme e Shqipërisë në eliminatoret e botërorit Rusi 2018, që startojnë me sfidën ndaj Maqedonisë në “Loro Borici”.

Top Channel