Superkupa e Europës, Reali pa 5 titullarë

03/08/2016 00:00

Dhimbje koke për trajnerin e Real Madrid, Zinedine Zidane, para Superkupës së Europës. Francezi nuk do të ketë në dispozicion 5 lojtarë formacioni për sfidën e 9 gushtit ndaj Sevillës.

Reali do të jetë pa Cristiano Ronaldon, Gareth Bale, Toni Kroos, Pepe dhe Keylor Navas, ose me fjalë të tjera, pa gjysmën e skuadrës e cila i solli “galaktikëve” Championsin e 11 në muajin maj.

Sikur të mos mjaftonin këta, në dyshim është edhe sulmuesi francez, Karim Benzema, i cili ka një problem në ije. Dhimbjet e mbajtën në stol në dy ndeshjet e para miqësore të skuadrës madrilene që zhvilloi në SHBA, atë kundër PSG-së dhe Chelseat.

Derisa Ronaldo e protieri Navas janë në fazë rikuperimi, Bale e Kroos do t’i bashkohen skuadrës më 6 gusht dhe ky fakt e bën të pamundur që ata të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj skuadrës së Sampaolit që luhet pas tre ditësh.

Sa i përket mbrojtësit portugez Pepe, ai do t’i bashkohet skuadrës më 10 gusht, pasi luajti në finalen e Europianit.

Top Channel