PD: Qeveria përgjegjëse për aksidentet. Merren me përplasje, jo punë

03/08/2016 00:00

Opozita akuzon qeverinë se po dështon me sigurinë rrugore në vend. Për drejtuesin e departamentit të Transportit dhe Infrastrukturës në Partinë Demokratike, Ervin Minarolli dështimi nis me mungesën e koordinimit mes dy institucioneve përgjegjëse, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Transporteve.

“Ajo që shohim është një përplasje institucionesh, Policia e Shtetit drejton gishtin tek Ministria e Transporteve dhe tek ARRSH-ja. Tre pika ku kanë ndodhur aksidente, kanë qenë pika rreziku të identifikuara më parë qoftë edhe nga policia rrugore. Kemi patur shkresa qoftë për Durrësin, qoftë për Rrogozhinën ku tërhiqet vëmendje se duhen mbyllur këto dalje”, thotë Minarolli.

Opozita thotë se në fokus të qeverisë deri më tani ka qenë investimi në fasada dhe lënien në mëshirë të fatit të shumë rrugëve të tjera, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Sipas Minarollit çështja më urgjente është përqëndrimi i fondeve tek mbyllja e 140 pikave të rrezikut të evidentuara në vend dhe rreth 13 rrugëve të pambaruara.

“Mund të përmend rrethrrotullimin në Milot, rruga e Elbasanit po ashtu, Rruga e Kombit me urat që s’po mbarojnë, projekte të braktisura, bypassi Shkodrës, Kardhiq-Delvinë, bypasset e Fierit dhe të Vlorës. Të gjitha këto po t’i analizosh janë burime rreziku”, u shpreh ai. 

Top Channel