Flaka mbërrin në Rio

03/08/2016 00:00

Më në fund flaka olimpike ka mbërritur në Rio de Janeiro, vetëm dy ditë para fillimit të eventit gjigant sportiv.

Pishtari u mirëprit nga kryetari i bashkisë së qytetit më të madh jugor brazilian, Eduardo Paes, pasi lundroi në gjirin Guanabara nga marinsët brazilianë.

“Rrofshin Lojërat Olimpike dhe unë e mirëpres pishtarin në këtë qytet, në dashurinë e jetës time, Rio de Janeiro!Ju falënderoj shumë!”, tha Paes.

Ndërsa në portin e jahteve të Rios pishtari olimpik u përcoll nga emra të njohur të sportit brazilian, si 5 herë medalisti olimpik Torben Grael dhe medalisti i Bronxit të vitit 1988 Clinio Freitas.

Pishtari ka kaluar 335 qytete braziliane dhe ka përshkruar 20 mijë kilometra para se të mbërrinte në Rio de Janeiro. Ndërkohë stadiumi me famë botërore i Maracanas në Rio de Janeiro thuajse është gati për të zhvilluar ceremoninë gjigante të hapjes se Lojërave Olimpike.

Producenti ekzekutiv i spektaklit, Marco Balich, tha se ceremonia e hapjes do të thyejë traditën e shpenzimeve marramendëse për të tilla evente, duke thënë se është përshtatur me situatën aktuale ekonomike të Brazilit që po vuan recesionin më të thellë që nga viti 1930.

Top Channel