Hapja e Olimpiadës, ja çfarë rezervon skenari i Rios

03/08/2016 00:00

Në një ceremoni e cila është paralajmëruar të jetë elektrizuese dhe që do të pushtojë vëmendjen e botës sportive pavarësisht një orari jo të zakonshëm për kontinentin europian, organizatorët e Olimpiadës së Rio de Janeiros premtuan se do të magjepsin globin.

Shfaqja që është ideuar nga regjisori i njohur Fernando Meireles dhe me mbështetjen e Andrusha Ashington dhe Daniela Tomas, do të mbërthejë sipas parashikimeve 3 miliardë telespektatorë.

Elza Soares do të jetë mbretëresha e sambës në ceremoninë e hapjes së lojërave, në një zhanër muzikor me të cilin identifikohet e gjithë kultura braziliane, ndërsa një risi e shfaqjes që ngre siparin e sporteve, do të jetë 12-vjeçarja MC Soffia.

Vogëlushja që shkaktoi furtunë në rrjetet sociale me videot kundër racizmit, ka zgjedhur një rap të veçantë për në 5 gusht në Rio de Janeiro.

Do të jetë gjithashtu ikona braziliane e modës, Gisele Bundchen që do të shfaqet në skenë në audiencën më të madhe ndonjëherë në karrierën e saj. Mesazhi sipas organizatorëve të olimpiadës është i qartë: Gjithëpërfshirja pa dallim feje, race, orientimi seksual apo ngjyre.

Hapja e një Olimpiade është gjithmonë një spektakël që të merr frymën dhe pavarësisht një mijë e një problemeve, Brazili ka premtuar që të paktën në ditën e parë, do të ketë vetëm nota kaluese në çdo fushë.

Top Channel