“Portieri me pizhama” Kiraly braktis Hungarinë

03/08/2016 00:00

Veshja e tij karakteristike ishte një prej shenjave dalluese, përveç lojës së mirë me të cilin u identifikua Hungaria nga tifozët, në Europianin e futbollit të kësaj vere, por karriera e gjatë e Gabor Kiraly me kombëtaren duket se merr fund këtë muaj.

Portieri 40-vjeçar, që u bë protagonist me pritjet e tij në turneun mjaft pozitiv për kombëtaren e tij, ka vendosur t’i japë lamtumirën përfaqësueses së Hungarisë.

“Dhashë gjithçka, por trupi im më ka sinjalizuar se tashmë jam në limitin e mundësive fizike”, tha Kiraly gjatë njoftimit për të mos veshur më në kombëtare tutat e tij karakteristike. Portieri, që mbron shtyllat e skuadrës së Haladasit në kampionatin vendas, gjithsesi do të jetë protagonist në fushë.

I pagëzuar me pseudonimin “gjyshi me pizhama”, Gabor Kiraly theu një rekord domethënës kur u bë futbollisti i parë 40 vjeç që luan në një Europian. Para tij, legjenda gjermane Lothar Matheus ishte ndalur në moshën 39-vjeçare.

Portieri i Hungarisë mbrojti ngjyrat e kombëtares për 18 vite, duke vendosur edhe një rekord të përfaqësimeve, me plot 107 të tilla. Hungaria do ta mbajë gjithmonë në zemër e në librat e historisë, e po kështu edhe tifozët europianë.

Top Channel