Partizani, 90 minuta larg qëndrimit ose jo në Champions

03/08/2016 00:00

Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në orën 20:30, Partizani do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të fazës së tretë kualifikuese të Champions League, përballë kampionëve të Austrisë, Red Bull Salzburg.

“Të kuqtë” kryeqytetas u mundën 1-0 në “Elbasan Arena” një javë më parë, por trajneri Sormani mbetet optimist se mund të bëjnë surprizën ndaj austriakëve. Ajo që u vu re në seancën stërvitore ishte aplikimi i goditjes së 11-metërshave, pasi trajneri Sormani beson se kjo ndeshje mund të caktohet edhe nga lotaria e penalltive, ashtu si dhe ndaj Ferencvaroshit në raundin e mëparshëm.

Nuk dihet ende se me çfarë lojtarësh do të zbresë në fushë Partizani sonte në mbrëmje, por nga ajo çfarë mësohet pranë klubit, Ekuban do të udhëheqë repartin sulmues, ndërsa pas krahëve do të jenë Torasa, Vila dhe Fili.

Jurgen Bardhi është i pezulluar dhe nuk udhëtoi me ekipin, gjë që shton kuotat e nisjes nga minuta e parë të Bathës në mesfushë. Ndeshja do të gjykohet nga arbitri 32-vjeçar sllovak, Ivan Kruzhliak, një emër i ri që ka gjykuar kombëtaren shqiptare në miqësoren ndaj Austrisë.

Top Channel