Velipojë, vendoset sinjalistikë provizore nga policia pas 4 viktimave

03/08/2016 00:00

Dy ditë pas aksidentit tragjik të Velipojës, ku humbën jetën 4 të rinj, vazhdon të mbetet i paidentifikuar personi i katërt, i cili ishte në mjetin tip BMË, që përfundoi në ujërat e një kanali me thellësi 3 metra.

Në kthesën problematike, ku janë shënuar edhe aksidente të mëparshme me pasoja në jetë njerëzish, vetëm pas aksidentit të radhës ku u vranë 4 persona, u vendosën disa tabela paralajmëruese dhe orientuese, si dhe u ngrit një pritë e improvizuar me zhavorr dhe goma.

Edhe këto masa nuk janë marrë nga autoritetet përgjegjëse për këtë segment rrugor, por nga Policia Rrugore e Shkodrës, e cila me ndërhyrjen dhe efektivët e saj ka vendosur këto shenja paralajmëruese.

Duke qenë se aksidenti i Velipojës ishte i përsëritur me pasoja fatale në njerëz, pritet që hetimet të shtrihen edhe për pjesën e infrastrukturës së rrugës. Autoritetet përgjegjëse janë lajmëruar nga Policia Rrugore e Shkodrës që prej aksidentit të majit të këtij viti, ku humbi jetën një tjetër person, mbi problematikën që shfaqte kjo pjesë rruge.

Por deri në aksidentin e mëngjesit të 2 gushtit, kur u shënuan 4 viktima, asnjë masë nuk ishte marrë. Dhe derisa autoritetet ta marrin seriozisht punën e tyre në mbrojtje të jetëve njerëzore, urojmë që këto masa provizore të shmangin aksidente të tjera.

Top Channel