Panairi i Librit në Durrës

03/08/2016 00:00

Për herë të parë në qytetin bregdetar të Durrësit po zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip. Shtëpi botuese nga e gjithë hapësira shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të vendit, paraqiten në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore të librit me botimet e hedhura në qarkullim kohët e fundit.

Me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis autorëve, përkthyesve dhe lexuesve, ky panair synon të nxisë leximin në masat e gjera e veçanërisht te të rinjtë.

Bashkia e Durrësit e ka mbështetur këtë nismë që premton të kthehet në një ngjarje të përvitshme të librit shqip në këtë qytet. Kryetari i bashkisë Vangjush Dako ftoi qytetarët dhe pushuesit të afrohen në stendat e këtij panairi: “Duam ta kthejmë në një traditë dhe duam t’i japim Durrësit disa evente të rëndësishme”.
 
Mjaft prej botuesve pjesëmarrës në këtë panair, që do të qëndrojë i hapur deri më 7 gusht pranë shëtitores bregdetare “Taulantia”, ofrojnë ulje deri në 50% për librat e tyre.

Top Channel