Mustafa: Pranoni faktet, nuk guxojmë të luajmë me interesat e popullit

03/08/2016 00:00

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në debatin për Demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se shënjimi i vijës kufitare me vendet fqinje është proces historik.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi në Vjenë, si dhe ankesave që janë bërë nga opozita, kam apeluar te qytetarët dhe kompanitë që të dëshmojnë se, nëse ndonjë pronë e tyre, qoftë publike apo private, i është kaluar Malit të Zi. Një gjë e tillë nuk është bërë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se Mali i Zi ka dëshmuar se, një pjesë e tokës që opozita dhe disa ekspertë po mendojnë se është e jona, është e tyre.

“Puna që ka bërë komisioni shtetëror është e saktë, prandaj edhe nënshkrimi i marrëveshjes është bërë në mënyrën e duhur. Ua kam thënë edhe deputetëve të LDK-së, që të mos e votojnë ratifikimin e demarkacionit vetëm për shkak të liberalizimit, nëse gjejnë ndonjë pjesë të territorit tonë që i ka kaluar Malit të Zi”, tha Mustafa.

Ai shtoi se debati i sotëm duhet të përfundojë me pranimin e fakteve, pasi “nuk guxojmë të luajmë me interesat e qytetarëve tanë”.

Top Channel