Atentati i Vaqarrit, gjykata lë në burg të arrestuarit. Avokati ka alibi

03/08/2016 00:00

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ergys Kolaverin, person i dyshuar se ka dashur t’i bëjë atentat brenda ambienteve të paraburgimit Gazmir Dacit, i cili nga ana tjetër akuzohet për vrasjen e vëllait të Ergysit, si dhe plagosjen e vëllait tjetër.

Ergys Kolaveri u arrestua nga policia, pasi në tentativën e tij ka goditur duke plagosur në këmbë Lili Dulajn, një tjetër person të paraburgosur në Burgun e Vaqarrit.

Mjeti furgon tip “Mercedez Benz” i familjes Kolaveri, i parë pranë vendit të ngjarjes, si dhe konflikti tashmë i ditur mes Gazmir Dacit dhe familjes Kolaveri, për momentin janë provat më të forta të prokurorisë kundër Ergys Kolaverit.

Por nga ana tjetër, avokati i Kolaverit, Artan Kodheli ka një alibi, sipas së cilës klienti i tij nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes.

“Po ju tregoj foton ku shfaqet se, Ergysi ka qenë në një lokal në zonën e Kamzës pak përpara ngjarjes në Vaqarr”, thotë avokati mbrojtës i Kolaverit.

Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për kushëririn e Ergysit, Enea Ceka, i akuzuar për moskallëzim krimi.

Top Channel