“Portokalli”, rrugëtimi i radhës, në Librazhd

03/08/2016 00:00

Për aktorët dhe drejtuesit e njohur të spektaklit të së dielës “Portokalli” rrugëtimi nëpër Shqipëri ka qenë, jo vetëm një mundësi për të qenë më pranë publikut, por edhe për të ndjerë nga afër dashurinë e tij. Ata që çdo të dielë qëndrojnë të mbërthyer para ekranit të Top Channel, për të ndjekur aktorët e tyre të preferuar, tashmë mbushin sheshet e çdo qyteti për t’i parë nga afër.

Aktorët kanë gjetur edhe një mënyrë origjinale për të vlerësuar çdo qytet. Moderatorja Xhemi Shehu thotë: “Jemi pothuajse në gjysmën e rrugëtimit. Mikpritja ka qenë e jashtëzakonshme. Kudo e kemi ndjerë ngrohtësinë e publikut dhe kjo na ka bërë të ndihemi mirë”.

“Në shesh ndryshon shumë, ka emocion tjetër dhe ngjyrim tjetër nga ajo e studios”, thotë Rezart Veleshnja.

“Unë në Facebook postoj foto nga çdo qytet dhe Elbasani ka marrë notë me yll deri tani”, shprehet Ledio Lako.

“Verë dhe Portokalle” mbushi plot sheshin e qytetit të Librazhdit, ndërsa për kryetarin e bashkisë kjo ishte mënyra më e bukur për ta inauguruar qendrën e re të qytetit.

“Verë dhe Portokalle” ka ende shumë qytete për të vizituar dhe për të qenë pranë të gjithë shqiptarëve. Takimi i radhës është në Tiranë.

Top Channel